14:30 / E Mërkurë, 22 Janar 2020 / indeksADMonline

Këngëtari i njohur, diagnostikohet me sëmundjen e Parkinsonit

Këngëtari dhe kantautori britanik, Ozzy Osbourne, njoftoi se është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit.

Sipas Guardianit, 71-vjeçari Osbourne, i cili njihet si baba i muzikës metal, në programin “Good Morning America”, ku mori pjesë së bashku me bashkëshorten Sharon Osbourne, tha se tashmë ka një vit që vuan nga probleme shëndetësore, përfshirë edhe operacionet në boshtin kurrizor dhe në qafë.

Ai njoftoi se është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit dhe tha se 2019-a ka qenë “viti më i dhimbshëm” në jetën e tij.

Gruaja e tij, Sharon Osbourne, gjithashtu tha se diagnoza me Parkinson të fazës së dytë tek Ozzy Osbourne nuk paraqet kërcënim për vdekjen, por ka prekur disa nerva në trup dhe se ai “përjeton ditë vërtet të këqija aq sa edhe ditë të mira”.

Ozzy Osbourne nisi karrierën muzikore me grupin e zhanrit heavy metal “Black Sabbath” në vitet 70-të, por më pas u nda nga grupi dhe vazhdoi si solist, duke publikuar 11 studio-albume.