14:29 / E Shtunë, 19 Shtator 2020 / indeksADMonline

Këngëtarja e njohur kosovare arrestohet në kufirin me Shqipërinë

Policia Kufitare e Morinës ka ndaluar këngëtaren Fjolla Morina e cila ka tentuar të hyjë në Shqipëri duke mbajtur armë zjarri me vete.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizës së riskut, ka kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë një automjet tip “Audi” që drejtohej nga këngëtarja.

Gjatë kontrollit , këngëtares iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë.

Njoftimi i  plotë i policisë

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje. Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kriminale e DVP Kukës, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Audi”, me drejtuese shtetasen F.M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë, e cila udhëtonte me shtetasit F.M., dhe F.S., banues në Kosovë e Belgjikë.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në çantën e dorës së shtetases F.M, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Zoraki”, me 23 fishek. Ndërsa në bagazh të automjetit u gjet një pistolet në dukje e dyshuar lodër cakmak. Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve; F.M., 34 vjeçe, banues në Prishtinë, Kosovë, F.M., 29 vjeç, banues Bresalc, Kosovë dhe F.S., 29 vjeç, banues për Belgjikë. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.