16:17 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Blerim

Kërcënohet me jetë Dritan Abazoviç, deklaratë e jashtëzakonshme e drejtorit ekzekutiv të URA-së

Politikani më origjinë shqiptare në Malin e Zi, Dritan Abazoviç është kërcënuar me jetën dhe familjen e tij nga një klan mafioz.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori Ekzekutiv i Koalicionit URA, Zoran Mikic, në një deklaratë të jashtëzakonshme që ka mbajtur ditën e sotme. Në konferencën për shtyp, Mikic tha se një klan mafioz ka kërcënuar Abazoviç me jetën e tij dhe nga familja.

Zoran gjithashtu tha se nëse diçka i ndodh Abazoviç atëherë përgjegjës do të jetë policia e Shtetit dhe kreu i saj, Veselin Veljović. Më tej, ai tha se nuk ka në plan që të akuzoj dikë, pa pasur prova, por të paralajmërojnë publikun për atë që po ndodh në Malin e Zi.

“Nëse i ndodh diçka atij apo familjes së tij, atëherë përgjegjës do të jetë kreu i Policisë së Shtetit, Veselin Veljović. Ne nuk duam të krijojmë alarm, të akuzojmë dikë direkt apo të bëjmë ndonjërin target, por duam të informojmë publikun për çfarë po ndodhë”, tha ai.

Dritan Abazoviç është Kreu i Lëvizjes Qytetare URA në Malin e Zi. Ai cilësohet si një pikë kyçe për të formuar qeverinë e re në Malin e Zi.