17:36 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Kërcënon konsullin austriak në Pejë, një muaj paraburgim për qytetarin kosovar

Gjykata Themelore në Pejë përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se :

Me datë 06.05.2019, rreth orës 01:26 min, në Pejë, seriozisht kanos të dëmtuarin zyrtarin – Konsullin në Konsulatën e Austrisë në Pejë A.Ҫ, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që pasi paraprakisht i pandehuri përmes telefonit të tij i dërgon SMS të dëmtuarit  në gjuhën gjermane duke kërkuar nga i njëjti që t’ia sigurojë një dokument udhëtimi dhe mjete materiale me qëllim të udhëtimit për në Austri, e më pas edhe komunikon me të rreth 10 min, pasi që i dëmtuari nuk i përgjigjet, i pandehuri natën kritike përmes Whatsapp-it i dërgon një mesazh kërcënues

“Unë do ta fshij popullin tuaj nga faqja e dheut nëse ti mendon që ta kundërshtosh presidentin e shtetit.”

Me këto veprime i pandehuri A.P dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.