23:42 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Kërcënon Petkoviq: Po shqyrtojmë dërgimin e 1 mijë trupave të sigurisë në Kosovë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Paraprakisht, edhe disa media serbe raportuan ngjashëm, por Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e tilla.Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë kanë rritur praninë në veri të Kosovës, duke dërguar “vetëm policë të rendit”.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, ku më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale në katër komuna, janë në rritje./REL