Kërkohet më shumë punë për personat e pagjetur
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha organizatat që merren me çështjen e të zhdukurve.
Haradinaj tha se qëllimi i takimit të sotëm është që të gjithë ata që janë pjesë dhe kanë përgjegjësi në çështjen e personave të pagjetur, të bëhen bashkë për të identifikuar veprimet që do të ndërmerren më tutje, për përparim në këtë temë.
Ai tha se duhet bërë një vlerësim i gjendjes së procesit dhe si të veprohet më tutje me autoritetet e Beogradit rreth zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, tha se një takim i tillë do të mundësojë jo vetëm për autoritetet vendore, por edhe ato ndërkombëtare, që në një moment të caktuar kohor të gjenden rrugët dhe modalitet, të cilat duhet të futen në funksion, në mënyrë që çështja e të zhdukurve të ketë një avancim në proces.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur, fillimisht ka përmendur vërejtjet që i kanë familjarët në Ligjin për personat e zhdukur, për të cilin ai shpreson se do të ndryshohet shumë shpejtë.
Duke e cilësuar si çështje të rëndë dhe të vështirë, Gjetaj tha se tash për tash çështja e të pagjeturve konsiderohet si kategoria më e goditur.
“Kemi përgjegjësi, sepse ende mbi 1600 persona evidentohen të zhdukur”, tha Gjetaj.
Ambasadori britanik, Ruairí O’Connell tha se duhet shpejtuar procesi, sepse kjo temë është shumë e ndjeshme jo vetëm për familjarët, por edhe për tërë shoqërinë, duke numëruar tri fusha kyçe që duhet trajtuar me prioritet; e para, gabimet në identifikim dhe në këtë drejtim Qeveria britanike do të vazhdojë të mbështesë Institutin e Mjekësisë Ligjore; së dyti, inkurajohen dëshmitarët që të paraqiten dhe Qeveria të bëjë çmos për t’i mbrojtur ata; dhe e treta, është drejtësia, dhe kjo nuk është vetëm çështje për t’i gjetur familjarët, por çdo familje të ketë qasje në drejtësi.
Ambasadori i Zvicrës, Jean Hubert Lebet, tha se tashmë është koha të ecet përpara dhe të arrihet progres.
Shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Agim Gashi e vlerësoi si shpresëdhënëse qasjen e Qeverisë së re, që kaq shpejtë ta vendosë çështjen e personave të zhdukur në fokus dhe ta trajtojë si një nga prioritetet.
Bajram Qerkini, anëtar i Komisionit për Persona të Zhdukur, përfaqësues i Shoqatave Familjare, kërkoi përshpejtim të procesit, duke apeluar te institucionet e Republikës së Kosovës që të angazhohen më shumë se sa deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve./AktivPress