12:42 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kërkohet paraburgim për personin që u fut i armatosur në zyrën e kryetarit të Istogut

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje në lidhje me rastin e personit të armatosur që u fut i armatosur në zyrën e kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

“Konfirmojmë se prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Pejës, është njoftuar lidhur me këtë rast, për çka ndaj të dyshuarit është marr aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Ndaj të dyshuarit është hapur rasti për dy vepra penale- përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penale kanosje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë në Pejë.

Po ashtu Prokuroria bëri të ditur se gjatë ditës do përpilohet kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit në fjalë.

Dje në komunën e Istogut është arrestuar një i dyshuar i cili në gjendje të dehur fillimisht kishte shtënë me armë zjarri para një restoranti e më pas kishte shkuar tek Kuvendi Komunal në Istog, me qëllim që të hyjë në zyrën e kryetarit Haki Rugova, por është ndaluar nga personat përgjegjës.

Haki Rugova, kryetar i Istogut tregoi rastin se si një i panjohur u fut i armatosur në zyret e tij.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt mes nesh, personi i caktuar ka hyrë në zyre timen të kryetarit të komunës me armë në dorë. Ai nuk ka kërkuar kurrgjë, ka qenë në gjendje jo stabile dhe ka ardh me armë në dorë. Kur vjen një person me armë në dorë, çka kërkon? Kurrgjë tjetër pos me pas probleme, është mirë që ka përfunduar ajo qysh ka përfunduar, kjo është e gjitha”, tha Rugova për KALLXO.com.

Ai shtoi se me personin e dyshuar nuk është takuar asnjëherë.

“Nuk e njoh personin e dyshuar, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me të. Duhet të trajtohet ky rast pasi që ka ndodh në zyret e kryetarit. Jam i lumtur që nuk ka ndodh kurrgjë ma shumë. Zyret i kam të hapura gjatë gjithë kohës, komuna është e qytetarëve, por njerëzit e armatosur që vijnë dhe sulmojnë personelin është e patolerueshme”, shtoi ai.

Rugova kërkoi nga organet e sigurisë që të merren seriozisht me rastin e kanosjes.

“Organet e policisë duhet me u marrë seriozisht me këtë punë që unë mos të kërkoj mbrojtje”, tha në fund të bisedës Rugova.