20:55 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nipi i Haki Rugovës dënohet me 1 vit burgim, vlerësohet se nuk është mirë psiqikisht!

Gjykata Themelore në Pejë, pak ditë më parë e ka dënuar me 1 vit burgim, Jeton Mavrajn, nipin e kryetarit të Istogut, Haki Rugovës.

Jeton Mavraj është dënuar pasi që me datë 11 qershor, me dashje e kishte plagosur me armë të dëmtuarin, Kastriot Blakaj në qytetin e Istogut.

Në gjykimin e mbajtur në Pejë, nipi i nënkryetarit të LDK-së e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje publike për gjestin e bërë duke thënë se ndihet i penduar.

Mavraj kishte qëlluar katër herë ndaj Kastriot Blakajt, duke e plagosur me dy plumba, për të ikur më pas nga vendi i ngjarjes.

Sipas analizave psikiatrike, Mavraj nuk qëndron në gjendjen më të mirë psiqike dhe për këtë dënimi për të është konstatuar të jetë më i butë.

“I pandehuri J.Mavraj e ka pranuar fajësinë në seancë fillestare dhe ndaj të njejtit gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, krahas këtij dënimi i është shqiptuar edhe Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.

Të njejtit paraburgimi i është vazhuar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës të dhënë për Indeksonline.

I njëjti më parë ka qenë nëpunës në Qeverinë e Kosovës ndërsa së fundi ishte përfaqësues i një kompanie të sigurimeve në Istog./Indeksonline/