17:22 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / Blerim

Kërkohet rishqyrtimi i vendimit të pezullimit të ambulancave specialistike

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga Albena Reshitaj, kryetare, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, komisioni diskutoi lidhur me situatën me pandeminë COVID-19 në vend dhe në fund të diskutimeve, doli me disa rekomandime:

– Komisioni shpreh indinjatën për mos pjesëmarrjen e ministrit Armend Zemaj në mbledhjen e komisionit, për të raportuar për situatën aktuale me COVID 19;

– Komisioni kërkon nga Bordi i SHSKUK-së të rishqyrtojë vendimin e pezullimit të ambulancave specialistike dhe rikthimin e ofrimit të shërbimeve në këto klinika;

– Komisioni kërkon rritjen e nivelit të organizimit për ofrimin e shërbimeve të plota shëndetësore në klinikat COVID, të formuara me vendim të bordit të SHSKUK-së;

– Komisioni kërkon që të bëhet përfshirja e plotë në pagesat shtesë për të gjithë stafin mbështetës, përfshirë punëtorët e sigurimit dhe të pastrimit, si dhe te mos ketë dallime e diskriminime tek punëtorët e sektorit publik dhe privat, të cilët tash e tetë muaj janë duke dhënë kontributin e tyre, në përballje me COVID 19.