20:59 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Këshilltari i Haradinajt tregon se kur pritet vizita e kryeministrit në Preshevë

Ditë më parë është raportuar për një gatishmëri të kryeministrit Ramush Haradinaj, për t’i vizituar komunat Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc, komuna këto të banuara me shumicë shqiptare.

Por, një vizitë e tillë mund të jetë e rrezikshme për shkak se Haradinaj ende ka fletarrest të lëshuar nga Serbia për si pretendohet kryerjen e krimeve të luftës, në kohën sa Haradinaj ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, ka thënë për Insajderi, se as për së afërmi nuk është në agjendën e kryeministrit, vizita në Serbi.

Ai pranon që një vizitë e tillë mund të jetë shumë e rrezikshme, por beson që dita kur ai do të mund ta vizitonte shtetin serb, është pas njohjes që ky shtet do t’ia bënte Kosovës. Ai ka shtuar se në momentin kur do të ketë njohje reciproke në mes dy vendeve, atëherë edhe fletarrestet e lëshuara nga Prokuroria e Serbisë do të hidhen poshtë.

“Vizitën në Luginën e Preshevës nuk e ka së afërmi në agjendë. Shohim më tutje. Një ditë sigurisht do të bëhet një vizitë e tillë. Një vizitë e tillë do të mund të bëhet pas njohjes që do t’ia bëjë Serbia shtetit të Kosovës. Njohja reciproke do t’i mbyll të gjitha problemet juridike sikur kjo që shteti serb kërkon arrestimin e kryeministrit Haradinaj”, ka thënë Matoshi për Insajderin.

E gjatë ditës së sotme Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Nebojsha Stefanoviq ka thënë  se urdhër arresti për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj nga gjykata serbe është ende në fuqi dhe ao do të arrestohet nëse hyn në Serbi.

“Është në fuqi urdhri për arrestimin e tij dhe gjithsesi që do të arrestohet nëse mund të kapet nga Policia”, ka thënë Stefanoviq.

Ramush Haradinaj ishte arrestuar dy herë për shkak të fletarresteve të lëshuara nga Serbia.

Ai fillimisht ishte arrestuar në Slloveni dhe pastaj për katër muaj kishte qenë i ndaluar në shtetin e Francës.