17:52 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kështu i përgjigjet këshilltari i Ramush Haradinajt kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës!

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, është deklaruar rreth komunikatës së lëshuar nga Departamenti i Shtetit amerikan rreth tërheqjes së taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Në emisionin “Imazh” të RTK-së, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë urdhër të prerë rreth kësaj çështje.

“Detajet janë të rëndësishme në këtë aspekt. Pra, është opinion, nuk është presion dhe urdhër”, ka deklaruar Matoshi, transmeton Indeksonline

Ndryshe, në komunikatë e publikuar ditë më parë, sekretari amerikan, Mike Pompeo u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të shfuqizojnë tarifat e vendosura në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“… dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe tensionet destabilizuese”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Shtetit.

Po ashtu, Pompeo ka kërkuar që të shfrytëzohet mundësia e papërsëritshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Sekretari Pompeo inkurajoj Kosovën ta shfrytëzojë këtë mundësi të papërsëritshme për arritjen e marrëveshjes historike dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e DASH-it.