Kështu e vlerësojnë analistët paraqitjen e Kosovës kundër Maltës
404 ditë kanë kaluar që prej humbjes së fundit të Kombëtares Kosovare.
Që prej ardhjes së zviceranit, Bernard Challandes, ”Dardanët” nuk e kanë përjetuar humbjen.
Humbja e fundit erdhi më 9 tetor të vitit të kaluar, në ndeshjen ndaj Islandës, ku Kosova pësoi humbje me rezultat, 0-2.
Mbrëmë, në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova ”shpartalloi” Maltën me rezultat, 5-0, e që ishte fitorja më e thellë si mysafir në histori, shkruan IndeksOnline.
Ndeshja e radhës është kundër Azerbajxhanit në Prishtinë, ku vetëm fitorja ose barazimi i konvenon Kombëtares sonë për ta vazhduar ëndrrën, ”Evropiani 2020”.
E në lidhje me paraqitjen e djelmoshave mbrëmë dhe për ndeshjen me Azerbajxhanin, IndeksOnline ka kontaktuar Bylbyl Sokolin, Ismet Munishin e Arsim Prepollin për ta diskutuar këtë temë.
Sokoli thotë se paraqitja e djeshme në Maltë ishte më e mira deri më tani e Kosovës dhe se gjëja më e rëndësishme është se skuadra po funksionon si grup.
”Mendoj se kjo ishte loja më e mirë që Kosova ka zhvilluar. Shihet qartë se skuadra është e komponuar dhe se që po funksionojmë si grup”.
”Ishte fitore e merituar dhe ngritje e cilësisë, gjë e cila u vërejtë. Po funksionojmë si grup, dhe ky është faktori kryesor që një skuadër të korrë suksese”.
”Sa i përket ndeshjes me Azerbajxhanin, nuk shoh ndonjë ndryshim të nevojshëm. Jam i sigurtë se Kosova ka potencial ta fitojë edhe këtë ndeshje”, u shpreh Sokoli për IndeksOnline.
Ndërsa, Munishi, trajner kosovar, thotë se paraqitja e djeshme ka qenë fantastike dhe ndaj Azerbajxhanit, Kosova ka përparësi.
”Ndeshja me Maltën ka qenë fantastike. Kështu është dashur të luajmë edhe në ndeshjet tjera si mysafirë sepse i kemi lojtarët e duhur, dhe se nuk kemi nevojë të mbrohemi”.
”Ndaj Azerbajxhanit kemi përparsësi, na konvenon barazimi ose edhe fitorja. Pastaj, luajmë para publikut tonë. Jam shumë optimist për këtë ndeshje”, tha Munishi.
Debati aktual është në lidhje me portierin startues, ku ka kërkesa që Ujkani të lihet në bankën rezervë. Por, Munishi mendon më ndryshe.
”Është selektori ai që vendosë për të, por mos të harrojmë se të gjithë kemi qenë të gëzuar kur ai erdhi të na përfaqësojë”.
”Tash është konkurrenca më e madhe, por sidoqoftë, nëse skuadrës i ecën mirë, nuk e shoh të arsyeshme të ketë ndryshime”, përfundoi Munishi.
Për fund, analisti, Arsim Prepolli, ka thënë se beson në kualifikimin tutje, por se futbollistët nuk duhet të lejojnë ndonjë befasi të mundshme.
”Ishte paraqitje shumë e mirë e gjithë skuadrës. Është një atmosferë e mirë brenda, por gjithmonë duhet bërë kujdes sepse kemi ndeshjen me Azerbajxhanin”.
”Shpresojmë të mos befasohemi sepse të gjitha këto rezultate të mira do të binin në ujë. Por, jam i bindur se ne do të përfundojmë në vendin e parë sepse jemi skuadër më cilësore dhe e meritojmë”.
”I përgëzoj të gjithë që nga ekonomi i Kombëtares e deri te Presidenti për kënaqësinë që po na japin. Shpresojmë dhe besojmë se do të bëhemi edhe më të fortë në vazhdim”, u shpreh Prepolli./IndeksOnline/