75 Mall Live Search
11:48 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kështu i përgjigjet Pacolli serbëve, në pyetjen nëse do krijohet Shqipëria e Madhe

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një interviste për Deutsche Welle në gjuhën serbe ka thënë se Serbia nuk duhet të thotë se do e njohin Kosovën, mjafton që ata vetëm të veprojnë, përderisa ai i ka ikur pyetjes së parashtruar nëse ka një plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Ai ka shtuar se në Prishtinë dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë.

Gjatë kësaj interviste në gjuhën serbe, Pacolli në pyetjen e drejtpërdrejt nëse pret që Serbia të një ditë të njeh pavarësinë e Kosovës, ai u përgjigj: “Unë gjithmonë kam thënë se ata nuk do e thonë këtë, por do të veprojnë ashtu”, transmeton Indeksonline.

Për të argumentuar se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë, sipas Pacollit është fakti se Kosova nuk iu është përgjigjur “provokimeve” të politikanëve serbë, të cilët nuk pengohen të hyjnë lirshëm në Kosovë.

I pyetur për ndarjen e mundshme të Kosovës, Pacolli në këtë intervistë ka përmendur planin e Ahtisarit duke thënë se kjo gjë shpjegon më së miri se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës.

“Koha kur kufijtë kanë ndryshuar tashmë është përfunduar”, ka thënë Pacolli.

Më tej ai është pyetur drejtpërdrejt nëse ka një plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Kosova do të ketë një marrëdhënie fantastike me të gjitha vendet e rajonit, sidomos me Shqipërinë. Ne patëm një konferencë të përbashkët qeveritare, ku arritëm miratimin e disa dokumenteve të përbashkëta, të cilat do të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve pa barriera. Ne jemi të gjithë në drejtim të Evropës dhe e dimë se një ditë kufiri nuk do të kishte kuptim”, ka thënë Pacolli./Indeksonline/