17:31 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Këta janë dy të rinjtë që u arratisën sot nga Burgu i Lipjanit

Dy persona kanë arritur që të arratisen sot nga Qendra Korrektuese në Lipjan.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se të arratisurit në këtë rast janë: Lum Lekaj nga komuna e Pejës si dhe Valmir Ademi nga komuna e Vushtrrisë.

Gjithashtu nga të njëjtat burime është theksuar se të arratisurit ishin të dënuar për vrasje. Njëri prej tyre ishte burgosur për veprën e kryer në Pejë, kurse tjetri në Vushtrri.

Edhe pse kanë kaluar disa orë nga arratisja e tyre, këta të fundit nuk janë arrestuar ende.

I kontaktuar nga Indeksonline, zyrtari për Informim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës Jeton Kabashi ka bërë të ditur se fletarrestimi ndaj tyre tashmë është lëshuar dhe se Policia e Kosovës po merret me rastin.

“Ju informojmë se meqenëse kemi të bëjmë me të mitur nuk mund të zbulojmë identitetin e tyre. Fletarrestimi ndaj tyre është lëshuar dhe se Policia e Kosovës është duke u marrë më tutje me rastin”, ka thënë shkurt Kabashi.

Ndryshe gjatë ditës është bërë e ditur se lidhur me rastin në fjalë janë suspenduar dy zytarë./Indeksonline/