21:40 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Këta janë tre kandidatët që synojnë pozitën e drejtorit të burgjeve

Nehat Thaçi, Rasim Selmani dhe Enver Rrustemi, janë futur në listën e ngushtë për drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Burimet e Indeksonline të afërta me procesin kanë thënë se Thaçi, Selmani e Rrustemi, kanë marrë më së shumti pikë dhe se njëri prej tyre do të zgjidhet drejtor i burgjeve shumë shpejtë.

Duke qenë pozitë e nivelit të lartë drejtues, procedurat e rekrutimit zhvillohen nga ana e Ministrisë së Administratës Publike dhe monitorohen nga kompania e kontraktuar nga Ambasada Britanike.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë për Indeksonline se tashmë janë tre kandidatë që kanë hyrë në listën e ngushtë për këtë pozitë dhe se kanë përfunduar procedurat përzgjedhëse.

“Tani, kanë përfunduar procedurat përzgjedhëse, dhe javë më parë kemi pranuar raportin në lidhje me procesin e përzgjedhjes së pozitës së drejtori të burgjeve”, ka thënë Tahiri.

Ndonëse ministri Tahiri nuk ka përmendur emrat e atyre që kanë hyrë në treshe, Indeksonline ka arritur të siguroi emrat e tyre.

Nehat Thaçi, Drejtor Rajonal i Policisë për Mitrovicën Jugore, Rasim Selmani, Drejtor i tanishëm i burgut të Sigurisë së Lartë si dhe Enver Rrustemi, ish-zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës, janë ende në garë për të parin e burgjeve.

“Janë tre kandidat që kanë hyr në listën e ngushtë për këtë pozitë. Presim që së shpejti të merret vendimi përfundimtar për emërimin e drejtorit të burgjeve nga Qeveria e Kosovës pas propozimit (sipas legjislacionit) të kandidatit të propozuar nga ana ime”, ka shtuar Tahiri.

Ai ndër të tjera ka thënë se që nga dita e parë e ardhjes në pozitën e udhëheqjes së Ministrisë së Drejtësisë, ka iniciuar fillimin e procedurave përkatëse.

“Që nga fillim i punës time, fuqizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës mbetet prioritet dhe objektivë strategjike e punës time. Tashmë kemi marrë masa konkrete në funksion të zbatimit të legjislacionit në fuqi, duke përfshirë aspektet menaxhuese, organizative dhe rishikimin e politikave legjislative”, ka thënë kreu i drejtësisë.

Sipas tij një segment tjetër administrativ dhe i cili ka rezultuar të zvarritet për disa vite, është zgjedhja e Drejtorit të Shërbimeve Korrektuese të Kosovës.

Ndryshe duhet përkujtuar që në pozitën e Drejtorit të Shërbimeve Korrektuese deri para disa muajsh ishte, Sokol Zogaj. Post ky i cili tashmë është pa udhëheqës deri në emërimin e drejtori të ri./Indeksonline/