17:17 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ministri Tahiri thotë se janë në proces të rekrutimit të 120 gardianëve të rinj në burgje

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri duke folur për Shërbimet Korrektuese është shprehur se gjendja në përgjithësi është e mirë.

Këto deklarime Tahiri i bëri në Komisionin për Legjislacion derisa ka pasur kritikë sa i përket zgjedhjes së drejtorëve, ku sipas tij më e udhës është që drejtori të zgjidhet duke qenë pjesë e stafit dhe jo të vije nga jashtë.

Kreu i Drejtësisë ka treguar se janë në proces të rekrutimit edhe të 120 gardianëve të ri, ku sipas tij ky numër e kompleton nevojën që është për kuadër të oficerëve korrektues. Tahiri ka thënë se edhe në buxhet është paraparë financimi i këtyre oficerëve të ri.

Kurse, sa i përket kapaciteteve, Tahiri ka thënë se Kosova ka hapësira të mjaftueshme, ku ai bëri të ditur se në të gjithë Kosovën janë 2 mijë e 290 shtretër nëpër burgje. E kjo sipas tij është e mjaftueshme, gjë për të cilën tha se nuk do të duhej që më të investohet.

Në komision është diskutuar edhe për pakon ushqimore, ky anëtarët e komisionit kanë kërkuar që kjo të kthehet, e që sipas tyre duhet të bëhet për shkak të cilësisë së dobët të ushqimit nëpër burgje.Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ndalimi i pakove ushqimore nuk e ka zgjedhur çështjen e kontrabandës, e kjo sipas saj është arsye e mjaftueshme që kjo pako të kthehet.

Mirëpo, një përgjigje ka pasur ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili ka thënë se nuk po mund të vendosin se a është më mirë që për ushqimin të kontraktohet një kompani e jashtme, apo të përgatitet nëpër burgje.Kritika për gjendjen nëpër burgje ka pasur deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili ka thënë se nëpër qendrat e paraburgimit nuk ofrohen as kushtet më elementare të shëndetësisë.Krasniqi ka potencuar edhe faktin se të burgosurit nuk seleksionohen, ku ai tha se një i dënuar për prerje të druve qëndron në të njëjtin vend me atë që është dënuar për vrasje.

Haxhiu, ka pyetur drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, lidhur me gardianët e suspenduar në lidhje me arratisjen e dy të miturve nga burgu u Lipjanit dhe se a kanë bërë ndonjë hetim lidhur me dëshmitarin kryesor. Thaçi është përgjigjur shkurt duke thënë se gardianët nuk janë kthyer në punë deri sa është duke vazhduar procesi ndaj tyre, kurse ka thënë se kjo nuk është kompetencë e tyre.