12:54 / E Premte, 29 Qershor 2018 / indeksADMonline

Këta janë zyrtarët publik të cilëve do t’u hetohet pasuria

Në ambientet e Agjencisë Kundër Korrupsionit sot është kryer tërheqja e shortit për zyrtarët e lartë publik që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Sipas shortit, formularët e 950  zyrtarëve do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Kontrolli i plotë i pasurisë së deklaruar bëhet në përputhje me Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, sipas dispozitave të të cilit, kontrollit të plotë i nënshtrohen 20% e zyrtarëve që janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre.

Tërheqja e shortit është bërë në prani dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të mediave përmes një procesi të hapur dhe transparent. Procedura e nxjerrjes së listës për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është zhvilluar duke përdorur dy vazo – në njërën vazo janë vendosur nëntë fleta të palosura të cilat janë tërhequr nga përfaqësuesit e mediave.

Vetëm njëra fletëpalosje  ka pasur mbishkrimin, “Përzgjedhësi”, kurse të tjerat kanë qenë të zbrazëta. Njëri nga gazetarët  tërhoqi fletëpalosjen me mbishkrimin “Përzgjedhësi”  dhe, sipas procedurës, tërhoqi një numër nga vazoja e dytë ku ishin po ashtu të vendosur numrat nga 1 deri në 9  fletëpalosje. Numri i përzgjedhur ishte 3 dhe për të arritur 20%-shin e listës totale ky numër është rritur progresivisht për 5 (pesë) deri në fund të listës (3, 8, 13, 18, 23, …).

Përtej kësaj liste të dalë nga shorti publik, Agjencia ka mandat që të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë edhe të zyrtarëve të tjerë që nuk janë përzgjedhur nga shorti. Agjencia këtë mund ta bëjë sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të publikut apo personave të tjerë të interesuar, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe korrektësinë e deklarimeve.

Për të shkarkuar  Listën për kontroll të plotë të deklarimeve të pasurisë  kliko këtu. /Indeksonline/

Temat: