20:00 / E Premte, 06 Prill 2018 / indeksADMonline

Këto janë pozitat drejtuese për të cilat u hap konkursi në KEK

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dje bëri të ditur për opinionin publik konkursin për Drejtorin menaxhues të kësaj korporate, të cilën pozitë qe disa vite e ka udhëhequr, Arben Gjukaj.

“Indeksonline” mëson se përveç pozitës së drejtorit menaxhues të kësaj korporate, po ashtu është shpallur konkurs nga Bordi i KEK-ut edhe për disa pozita tjera të rëndësishme.

Këto pozita janë për:

1: Drejtor menaxhues të KEK-ut

2:Sekretar të Korporates Energjetike të Kosovës (KEK)

3:Drejtor i Financave

4:Drejtor i Auditimit të Brendshëm.

Vlen të theksojmë se konkursi për këto pozita do të qëndrojë i hapur deri më 20 prill, 2018.

Kujtojmë se KEK-u është përballur vazhdimisht me probleme të ndryshme, si me mungesë të furnizimit me energji elektrike, defekte të shumta, rënie të blloqeve nga prodhimi i energjisë elektrike, me protestat të punëtorëve për shkak të kushteve të vështira dhe të rrezikshme në punë, me protesta të banorëve të Hadës, Sibovcit e Shipitullës për shkak të mos shpronësimit të pronave të tyre, deri të rastet fatale, aksidentet tragjike që kanë marrë jetën e disa punëtorëve.

Lidhur me këto ngjarje, për ta mbajtur në këmbë prodhuesin kryesorë të energjisë elektrike në Kosovë, qeveria e vendit dhe donatorë, kanë investuar qindra milionë euro, porse gjendja nën menaxhimin e Gjukajt ka mbetur e pa ndryshuar.

Përkundër të gjitha problemeve, përformancës së dobët nga Gjukaj dhe akuzave për keqmenaxhim, ky i fundit nuk është shkarkuar.

Ndryshe, në njoftimin e KEK-ut thuhet se kjo kompani aktualisht realizon të hyra vjetore prej rreth 150 milionë €.

Korporata Energjike e Kosovës është ndërmarrje publike dhe në strukturën e saj përfshihen minierat e thëngjillit, njësitë gjeneruese të termocentraleve Kosova A dhe B, financat dhe kontabilitetin, shërbimet e korporatës dhe auditimin e brendshëm.

Për më shumë informacione rreth aplikimit për këto pozita drejtuese në KEK mund të informoheni edhe në ueb faqen zyrtare të Korporates Energjetike të Kosovës:

/Indeksonline/