22:49 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

Këto janë synimet e Zogajt në krye të AMKM-së

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së sotme ka zgjedhur Bislim Zogaj për drejtor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Zogaj me të marrë këtë post ka premtuar se do të bëjë gjithçka që këto komplekse memoriale të jenë në gjendjen që e meritojnë, duke shtuar se në këtë mënyrë të rinjtë do mund të përkujtojnë çdo herë luftën që është zhvilluar në Kosovë dhe të ndihen krenar për ta.

Në një intervistë për Indeksonline, ai thotë se deri më tash kjo agjenci nuk ka arritur të kryej detyrat dhe obligimet që i ka pasur.

Kështu, ai ka treguar se kjo ka qenë edhe njëra ndër arsyet pse ai ka dashur të bëhet drejtor i kësaj agjencie.

“Mendoj që një agjenci e cila është themeluar për një qëllim jashtëzakonisht të mirë nga Parlamenti i Kosovës, nuk ia ka arrit qëllimit që t’i kryej detyrat dhe obligimet që i ka marrë gjatë kësaj periudhe. Prandaj erdhi kërkesa ime që të bëhem drejtor i kësaj agjencie, duke llogaritur nga fakti se ato komplekse memoriale janë pjesë e veprimtarisë sime, pjesë e së kaluarës sime, gjegjësisht një pjesë që jo vetëm më lidh emocionalisht, por në të gjitha aspektet, dua  që në të ardhmen të bëj gjithçka që është e mundur që këto komplekse memoriale të jenë në gjendjen që e meritojnë. Prandaj, ky ka qenë motivi im që të konkurrojë në këtë agjenci dhe shpresoj që do të arrijmë së bashku me komisionet parlamentare, në veçanti me Parlamentin e Kosovës, të sigurojmë buxhet dhe në të njëjtën kohë të investojmë që këto komplekse memoriale t’ia shtojnë krenarinë Kosovës”, është shprehur Zogaj.

Ai më tutje ka treguar se edhe cila është puna e parë që do bëj si drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Memorialeve të Kosovës.

“Puna e parë që do bëj është që sa më parë të punohet në kompleksin e memorialit të Adem Jasharit, mirëpo do të punohet edhe në komplekset tjera. Të gjithë dëshmorët duhet të jenë të barabartë, sepse të gjithë kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës, megjithatë kompleksi memorial i Adem Jasharit duhet të ketë një të veçantë sepse dihet flijimi i asaj familje, prandaj edhe shoqëria, në përgjithësi Kosova e ka obligim që atë pjesë, apo në përgjithësi lagjen Jashari ta bëj jo vetëm ta vizitojnë brenda Kosovës, por edhe jashtë qytetarët që vijnë për ta vizituar. Njëra ndër idetë e mija është që të bëhet diçka edhe për burgun e Dubravës, në të cilën ka ndodhur një masakër e përmasave të gjëra, dhe ajo duhet të ketë një shenjë se është bërë një masakër dhe të vërtetohet para ndërkombëtarëve se pushteti serb ka bërë masakra”, është shprehur më tej Zogaj.

Ndryshe, ai thotë se do të marrë iniciativë dhe do të punojë në drejtim që dëshmorët sa më shumë të jenë në një vend dhe të mos shpërndahen në shumë vende, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë ata do kenë mundësi t’i mirëmbajnë varrezat në mënyrë sa më të dinjitetshme./Indeksonline/