KFOR-i ndërton një portë të re për manastirin e Bërnjakut për ta mbrojtur nga depërtimi i kafshëve të egra
Inxhinierët e Forcave të Armatosura Zvicerane, në kuadër të Grupit të Përbashkët për Mbështetje Logjistike (JLSG) të KFOR’it, në bashkëpunim me ekipin e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak të Komandës Rajonale Lindje (RC-E) të KFOR-it, projektuan dhe ndërtuan një portë për manastirin e Bërnjakut në Zubin-Potok, ka njoftuar sot KFOR-i.
Misioni i NATO-s tha se ndërtimi i portës së re kishte për qëllim të ndihmonte në mbrojtjen e manastirit dhe të tokave të tij bujqësore nga depërtimi i kafshëve të egra, duke mbështetur qëndrueshmërinë afatgjatë dhe funksionimin e përditshëm të manastirit.
“Kjo nismë, që u përmbyll me një ceremoni zyrtare të dorëzimit, ku morën pjesë përfaqësues të manastirit, ushtarë të Komandës Rajonale Lindje (RC-E) dhe inxhinierë të Forcave të Armatosura Zvicerane, dëshmon angazhimin e KFOR-it për të bashkëpunuar me partnerët lokalë, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha KFOR-i.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar në vitin 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

