20:27 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / Blerim

KFOR-i jep detaje për helikopterët që fluturuan sot në Kosovë

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, gjatë të enjtes ka zhvilluar një trajnim duke fluturuar me gjashtë helikopterë nëpër disa qytete të Kosovës.

“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, zhvilloi një trajnim, fluturoi, me disa helikopterë, gjegjësisht me gjashtë helikopterë të kontingjenteve kroate, zvicerane dhe amerikane. Ushtrimi u përqendrua në standardizimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të misionit, në testimin e fluturimit dhe komunikimet, dhe filloi nga Aeroporti Ushtarak në Sllatinë, duke vazhduar me kampin “Bondsteel”, Prizren, Pejë, Aeroportin e Sllatinës dhe Prishtinë, dhe përfundoi në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Kosova Film”, ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media.

Në këtë njoftim  theksua se ushtrimi siguroi që KFOR të mbetet një forcë e fuqishme ushtarake, e gatshme për të vepruar si parandalues i besueshëm ndaj çdo kërcënimi dhe për të ruajtur kapacitetet e tij për të kryer fluturime të evakuimit urgjent mjekësor kurdo që nevojitet. Misioni i KFOR it, i udhëhequr nga NATO-ja, është kontingjent shumëkombësh me 27 vende anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere. Ky dimension ndërkombëtar ofron kapacitete dhe kompetenca të ngritura.

“Kërkohet trajnim dhe ushtrim i vazhdueshëm për t’u siguruar se të gjitha kontingjentet veprojnë në mënyrë të standardizuar, duke siguruar aftësinë e KFOR-it të reagojë në përputhje me rezolutën 1244 të OKB dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase nga ajri dhe nga toka ndaj çdo sfide për mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet tutje në komunikatë.