15:36 / E Enjte, 30 Maj 2024 / S Z

KGjK vendos që gjyqtarët të paguhen njësoj për punën e njëjtë nëpër departamente

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 326-të ka miratuar propozimin nga Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel, lidhur me pagesën e diferencës në pagë për gjyqtarët e Dhomave të Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, Departamentit Special, Departamentit të Krimeve të Rënda, Departamentit për të Mitur, Departamentit Administrativ dhe të Divizionit për Kundërvajtje.

Fillimisht kryetari i këtij komisioni Artan Abazi tha se si komision kanë ardhur në përfundimin se gjyqtarët që punojnë nëpër departamente të paguhen njëjtë me kolegët e tyre, duke sqaruar se nga Departamenti Special është një gjyqtar, nga Krimet e Rënda – dhjetë, Administrativ – një, Ekonomik – një dhe Kundërvajtje – katërmbëdhjetë, dhe se shuma totale është 30 mijë euro.

Gjithashtu një propozim të tillë para votimit e përkrahu anëtari i KGJK-së, Avni Mehmeti duke thënë se me këtë vendim po bëjnë barazimin e pagave për punë të njëjtë me gjyqtarë tjerë në të njëjtin departament.

“Po bëjmë vetëm barazimin e pagave që për punë të njëjtë të bëhet pagat e njëjta”, tha Mehmeti./BetimipërDrejtësi