20:15 / E Martë, 28 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Kica–Xhelili, Haxhiut: S’ka të drejtë ta komentojë përmbajtjen e vendimeve të Kushtetuesës

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo nuk ka të drejtë ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, e aq më pak, sipas saj, të Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e Haxhiut.

Kica – Xhelili, tha se as Gjykata Kushtetuese e as demokracia në Kosovë nuk janë krijuar falë ministres Haxhiu.

“Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj. Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron”, është shprehur Kica – Xheli.

Tutje, Kica – Xhelili tha se “i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë.

“Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata”, është shprehur ajo.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa reagimi i Haxhiut ishte se Gjykata Kushtetuese është duke e sulmuar Kosovën.