Kimmich drejt futbollit anglez?
“Lideri” gjerman i krahut të djathtë të mbrojtjes, Joshua Kimmich ka hyrë në vitin e fundit në kontratën e tij me Bayern Munich dhe duket se rinovimi nuk është një opsion.
Për këtë arsye, “gjigantët” e Bundesligës kanë filluar të bëjnë plane të tjera për të.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave gjermanve, në Bavari po mendojnë që të përfitojnë diçka, duke e nxjerrë në merkato lojtarin për të cilin pati mjaft interesim këtë verë.
Më tej, në raportimet e tyre thuhet se trajneri belg Vincent Kompany ka shprehur dëshirën për ta pasur në ekip lojtarin, por Kimmich duket se nuk dëshiron të qëndrojë, pasi tekniku po planifikon ta vendosë atë në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndryshe nga vetë lojtari që kërkon të rrijë në mesfushë.
Në të tilla rrethana, “gjigantët” e Evropës janë hedhur në sulm, me Barcelonën që ka shprehur pëlqimin për ta pasur në skuadër, por problemi qëndron te financat e klubit spanjoll.
Në sfond qëndron edhe Premier League, me “Qytetarët” e Manchester Cityt dhe “Topçinjtë” e Arsenalit që mund të avancojnë në këtë operacion dhe duket se janë më të favorizuarit me vetë 29-vjeçarin, që kërkon një aventurë të re në elitën e futbollit anglez.