19:29 / E Mërkurë, 10 Gusht 2022 / AR

Kina përfundon stërvitjen ushtarake rreth Tajvanit

Ushtria e Kinës ka “kryer detyra të ndryshme” rreth Tajvanit, por do të vazhdojë me patrullimet e përditshme, njoftoi sot Pekini zyrtar, duke sinjalizuar një fund të mundshëm të stërvitjeve rreth ishullit të këtij shteti aziatik.

E zemëruar nga vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Tajvan javën e kaluar, Kina ka kryer stërvitjet më të mëdha ushtarake deri më tani rreth ishullit që e konsideron territorin e saj.

Stërvitjet përfshinin lëshime raketash balistike, disa prej të cilave fluturuan mbi kryeqytetin Taipei dhe simuluan sulme detare dhe ajrore.

Ushtria kineze njoftoi në një deklaratë të shkurtër për shtyp se operacionet ushtarake rreth Tajvanit “përfunduan me sukses detyra të ndryshme dhe testuan në mënyrë efektive aftësitë e integruara luftarake të ushtrisë”.

Ajo shtoi se do të monitorojë “ndryshimet në situatën në ngushticën e Tajvanit, do të vazhdojë trajnimin dhe përgatitjet për luftime, do të organizojë patrulla të rregullta të gatishmërisë luftarake në ngushticë dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”.

Zëdhënësi ushtarak i Tajvanit, Sun Li-fang, iu përgjigj njoftimit duke thënë se nëse tensionet ushtarake vazhdojnë, Tajvani do të “rregullojë shpërndarjen e forcave bazuar në faktorë të tillë si kërcënimet e armikut”.