12:46 / E Premte, 18 Mars 2022 / B O

Kina rikthehet në pikën “zero”, mijëra raste të reja ditore, po ndërtohen spitale të reja për pacientët

Kina rikthehet atje ku ishte 2 vite më parë. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror kinez tregojnë punimet për ndërtimin e një qendre izolimi për të infektuarit me COVID-19 por edhe një spital të ri COVID, në qytetin Jilin, me 6 mijë krevate për pacientët që do të kenë nevojë për hospitalizim.

Qendra e izolimit dhe trajtimit të pacientëve me koronavirus, po ndërtohet brenda terminalit Kai Tak të Hong Kongut. Sipas qeverisë, këtu do të strehohen mbi 1000 pacientë, në gjendje më të lehtë, për të mos zënë shtretërit në spitalet publike.

Me pandeminë që duket se po rikthen shqetësimet e frikën e 2 viteve më parë, autoritetet në Kinë kanë vendosur të përshpejtojnë punën edhe për rikthimin në fuqi të masave anti-covid, duke nisur nga distancimi social sikurse kanë nisur edhe testimet masive, ndërsa spitali i ri covid do të jetë funksional nga 22 marsi, sapo të përfundojë faza e parë e ndërtimit.

Në Kinë, qytetet kanë nisur te raportojnë raste të reja në nivele shqetësuese, me mbi 1500 në ditë. Prej 3 ditësh, autoritetet kanë vendosur të kthejnë në karantinë kombëtare, 2 rajone të mëdha, atë të Jilin me 24 milionë banorë dhe qytetet jugore të Shenzen dhe Dongguan me thuajse 28 milionë banorë.