11:05 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

‘King James’ bën liderin, Lakers merr fitoren e dytë radhazi në NBA

Tashmë po, kalifornianët kanë mbretin e tyre mbi parket pasi LeBron po arrin formën e tij më të mirë aq sa Lakers nuk po ndiejnë as mungesat e Brandon Ingram dhe Rajon Rondos që janë të skualifikuar.

Në Staples Center, 16-herë kampionët e NBA-së mposhtën me rezultatin 121-114 skuadrën më të mirë deri tani në Konferencën e Perëndimit, pikërisht Denver Nuggets. James arriti shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës pasi e mbylli ndeshjen me 28 pikë, 11 asiste dhe 11 topa të kontrolluar poshtë tabelës. Denverit për të evituar humbjen e parë sezonale pas 4 fitoresh radhazi nuk i mjaftuan 24 pikët e serbit Nikola Jokic.

Vazhdon të humbasë Oklahoma City Thunder që duket se ka hyrë në një krizë pafund. Në Chesapeake Energy Arena, Rusell Westbrook nuk ishte në lartësinë e duhur me vendasit që u mposhtën me rezultatin 95-101 nga Boston Celtics. Për skuadrën më të titulluar të NBA kjo ishte fitorja e 3-të në 5 takime ndërsa City Thunder pësoi disfatën e 4-t në po kaq ndeshje.

Më i miri mbi parket për Bostonin ishte Jayson Tatum me 24 pikë. LeBron James ka lënë një “gropë” të madhe te Cleveland Cavaliers me largimin e tij. Skuadra e Ohio pësoi humbjen e 5-të rresht dhe ende nuk e njeh shijen e fitores në këtë sezon. Disfatën e rradhës, Cleveland e pësoi në Michigan përballë Detroit Pistons që vijoi momentin pozitiv duke regjistruar fitoren e 4-t radhazi.

110-103 ishte rezultati i sfidës në favor të Pistons në një ndeshje ku Blake Griffin dhe Andre Drummond realizuan nga 26 pikë secili me këtë të fundit që spikati edhe me 22 rebound. Me Damian Lillard në superformë që realizoi 41 pikë, Portland Trail Blazzers mori fitoren e 3-të sezonale pasi triumfoi në transfertën e Floridas përballë Orlando Magic me rezultatin 128-114.

Temat: