16:37 / E Enjte, 26 Mars 2020 / indeksADMonline

Kjo është gjendja e familjes së prekur me koronavirus në Vrapçiq të Gjilanit

Gjilani vazhdon të jetë një nga komunat me numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli përmes një postimi të bërë në Facebook, ka treguar se sot bashkë me drejtorin e shëndetësisë e drejtorin e QKMF-së kanë vizituar familjen në Vrapçiq. Derisa ai ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është stabile, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Për ta parë gjendjen nga afër, bashkë me Drejtorin për shëndetësi, Selami Xhemaili, Drejtorin e QKMF-së, Fejzullah Berisha, dhe me heronjët tanë, ekipen e mrekullueshme të QKMF-së, ishim për vizitë në Vrapçiq, ku u njoftuam për së afërmi se gjendja e të prekurve me Koronavirus, është e mirë dhe stabile. Ne si komunë, më të gjitha kapacitetet e shëndetësisë primare e profesionale, në vazhdimësi do t’i dalim në mbështetje të prekurve me virusin COVID19.

Përgjatë ditës, u është ofruar mbështetje nga ekipet e shëndetësisë primare, duke i kontrolluar dhe furnizuar me medikamente. Gjithashtu, i kemi furnizuar edhe me pako ushqimore dhe higjienike. Do të jemi skajshmërisht në mbështetje të plotë të të prekurve, familjarëve, por, edhe të gjithë banorëve. Nuk do të ketë vend për frikë e panikë, sepse do të jemi 24 në funksion të shërbimit dhe mbështetjes tuaj. Nuk guxojmë që të mos bashkëpunojmë, ku me tërë kapacitetet tona profesionale, do të jemi përkrahë ballafaqimit dhe tejkalimit të kësaj pandemie.

Bashkë ja dalim!