14:23 / E Premte, 23 Qershor 2023 / B O

Kjo është gjendja shëndetësore e avokates shqiptare që tentoi rekordin me not në Otranto

Një mjek në spitalin e Vlorës që i dha ndihmën e parë Eva Buzos ka thënë se gjendja e saj është stabël dhe 35-vjeçarja është e vetëdijshme.

Ai tregoi se Eva erdhi me ethe dhe pak e lodhur, kishte shenja nga pickime të ndryshme, por mund të komunikonte, thjesht mjekët s’donin ta lodhnin.

Sipas mjekut edhe tensioni i notares është në rregull, por do t’i duhen të paktën 4 orë për t’u rikuperuar edhe nga humbja e lëngjeve.

Avokatja e cila jeton në Australi, u nis për të thyer një rekord historik në not. Që prej orës 7 të mëngjesit të së enjtes ajo u nis nga Italia me not për të përshkuar kanalin e Otrantos dhe të mbërrinte më pas në Shqipëri. Ajo e mbylli udhëtimin e saj 27.5 orë pas nisjes, rreth 9 milje nga bregu i Vlorës.

Buzo është me profesion avokate në Australi dhe është e angazhuar dhe në shoqërinë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi.