14:15 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Kjo është gjendja shëndetësore e nxënësve të Gjilanit

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan, ka prezantuar sot rezultatet  e kontrollave sistematike të nxënësve të shkollave fillore, të cilat janë kryer në vitin 2017, e ku kanë marrë pjesë përfaqësues të shëndetësisë primare, të DKA e drejtorë shkollash.

Në këto vizita janë ekzaminuar 30 parametra shëndetësor dhe janë përfshirë nxënësit e klasës ë pare, të pestë dhe të nëntë dhe nga 4111 nxënës të planifikuar, janë kontrolluar 3932 apo 95.64 për qind.

Drejtori i QKMF’së, Fejzulla Berisha, ka thënë se në përgjithësi gjendja shëndetësore e nxënësve është e mirë, ndërkaq ka bërë të ditura problemet e gjetura.

“Nga rezultatet  e gjetura mund të konludojmë se problem me shikim kanë 167 nxënës në qytet  dhe 79 në fshatra; Devijime e hundës kanë 157 nxënës në qytet dhe 89 në fshatra; probleme në të folur në qytet kanë 30 nxënës në qytet, ndërsa 16 në fshatra. Por, sa i përket kujdesit të shëndetit oral, kemi përmirësim tek të gjithë nxënësit e përfshirë në vizita sistematike”, ka thënë Berisha gjatë prezantimit të këtij raporti.

Nga rekomandimet e nxjerra nga ekipi mjekësor vihet në theks vazhdimi me edukimin shëndetësor në shkolla lidhur me ushqimin e shëndetshëm, qëndrimin trupor e pastërtinë, të gjendet një zgjidhje për çantat e rënda të nxënësve – vendosja e ormanave ne shkolla, sikurse që t’u shpjegohet nxënësve sidomos atyre nga qyteti për dëmet në të pamur që shkakton përdorimi i tepërt i telefonave  mobil,  por edhe mjetet tjera elektronike.

“Duhet të bëhet edukimi shëndetësor i nxënësve dhe prindërve të tyre rreth rendësisë së higjienës së gojës, por edhe mënyrën dhe rëndësinë e pastërtisë në përgjithësi, sepse nxënësit e klasave të nënta për shkak të  ndryshimeve  në zhvillim dhe në procesin e pavarsimit të tyre, ka mundësi që të mos i kushtojnë  kujdesin e duhur pastërtisë dhe higjenës”, ka shtuar drejtori Berisha.

Ky është viti i tretë radhazi që kryhen këto vizita në shkollat fillore të Gjilanit, edhe atë nga ana e dy ekipeve të QKMF-së, njëri i Mjekësisë Familjare dhe tjetri i Stomatologjisë.  ​