16:22 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

MPJ për djegien e autobusit: Të gjithë shtetasit e Kosovës janë shëndosh e mirë

Ministria e Punëve të Jashtme është njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, se një autobus i linjës Gjermani-Kosovë, i cili po transportonte shumicën e udhëtarëve nga Kosova, kishte marrë flakë në rrugë e sipër dhe përderisa ndodhej rreth 30 Km në afërsi të kufirit shtetëror Kroaci-Serbi (në pjesën kroate).

Ministria e Punëve të Jashtme nga informacionet e pranuara nga kontaktet me autoritetet policore atje, konfirmon se nuk ka asnjë qytetarë të lënduar dhe çdo gjë është në rregull, duke përfshirë dokumentacionin e tyre.

Ministria e Jashtme është njoftuar, gjithashtu se për momentin, të gjithë shtetasit e Kosovës janë në një vend të sigurt, respektivisht në Qendrën e Kryqit të Kuq në afërsi të kufirit, përderisa autobusi tjetër është në rrugë e sipër dhe pritet që të arrijë në çdo moment për t’i marrë ata dhe transportuar për në Kosovë.

Për këtë çështje, Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me kompaninë përgjegjëse transportuese.

Autoritetet kroate tashmë kanë filluar hetimet në lidhje me shkaqet e zjarrit./Indeksonline/