23:08 / E Martë, 21 Janar 2020

Kjo është makina që ia këputi gishtat kosovares që punonte në Zvicër

Ajo që për çdo punëtor të makinave është sinonim i tmerrit, për kosovaren Agneza T. u bë realitet i tmerrshëm. 29-vjeçarja ka humbur disa gishta nga makina me të cilën punonte.

Ka ndodhur të premten e kaluar, pas orës 22. Në kompaninë Lonstroff në Merenschwand AG, duart e një punonjësi janë zënë nga një shtypëse. Drejtori menaxhues i ndërmarrjes, Urs Bahnmüller, i prekur thellësisht, konfirmon aksidentin, shkruan blick.ch.

Sipas hulumtimeve të blick, viktima ishte Agneza T. * (29) nga Muri i Kantonit Aargau, transmeton albinfo.ch. Ajo bënte përpunimin e vulave të vogla prej gome në këtë kompani. Ato vendosen midis shisheve të infuzionit dhe tubave. “Çdo gjë ka shkuar gjithmonë mirë deri tani”, thotë Bahnmüller.

Agneza T. i kishte të dy duart në makinë, kur makina befas filloi të lëvizte. Ajo i zuri duart e Agnezës, duke peshuar mbi to disa tonelata presion! Punëtorja qan me zë të lartë. Menjëherë, punonjësit nxitojnë për ta ndihmuar.

Mbikëqyrësi i ndërrimit madje drejton pirunierët në hapësirën e vogël të mbetur mes makinës dhe duarve të Agneza T.

Pastaj, Agneza, e cila ka humbur disa gishta, është transportuar në spital.

Por, si ka ndodhur aksidenti? “Makina ka masat paraprake më moderne të sigurisë”, shpjegon Bahnmüller, përcjell albinfo.ch. “Mund të aktivizohet vetëm me të dy duart, duke shtypur një buton në të majtë dhe të djathtë në të njëjtën kohë”.

Suva dhe policia tani janë duke zhvilluar hetime rreth kësaj.

Ndërkohë, Agneza T. ndodhet në  stacionin e kujdesit intensiv. Ajo është zgjuar nga kllapia, por e tronditur, thotë Bahnmüller.