10:46 / E Premte, 24 Maj 2024 / k.v

Kjo është policja civile e cila arrestoi kosovarët në flagrancë duke trafikuar armë- shikojeni reagimin e saj

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.

Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusëzh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E.Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.   

Pjesë e operacionit policor ishte edhe një zyrtare civile e cila shihet duke reaguar në mënyrë profesionale për të vene nën pranga të dyshuarit, transmeton IndeksOnline.

Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.    

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë.