Klina bëhet me shtatore të presidentit historik Ibrahim Rugova
Sot, në Klinë, është bërë zbulimi i shtatores së presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se Klina është pasuruar me një vepër monumentale që përfaqëson kujtesën, identitetin dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Sot, Klina bëhet më e bukur. Jo vetëm sepse po pasurohet me një vepër monumentale, por sepse po fiton një simbol të kujtesës, identitetit dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, u shpreh ai.
Sipas tij, sheshi që tashmë mban emrin “Ibrahim Rugova” do të jetë një vend kujtese, reflektimi dhe edukimi qytetar, ndërsa shtatorja përfaqëson respektin dhe mirënjohjen për burrështetasin që, në kohët më të vështira, zgjodhi rrugën e urtësisë, dialogut dhe rezistencës paqësore.
Kryetari Elezaj shprehu falënderim të veçantë për donatorët Marjan dhe Ilir Çubi, të cilët mundësuan realizimin e shtatores, duke e cilësuar këtë si një kontribut me rëndësi për ruajtjen e kujtesës historike dhe pasurimin e hapësirës publike të qytetit.
Ceremonia e zbulimit të shtatores u zhvillua në prani të qytetarëve dhe të të ftuarve, ndërsa u vlerësua si një ngjarje me rëndësi për nderimin e figurës së presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.

