15:04 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Klinika e Onkologjisë fillon shërbimin 24-orë

Pacientët të cilët i drejtohen QKUK-së, respektivisht Klinikës së Onkologjisë, do t’u ofrohen shërbime 24 orëshe. Kjo pasi që sot është bërë promovimi i shërbimit 24-orësh, për pacientët kurativ në Klinikën e Onkologjisë të QKUK-së.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se shërbimet për pacientët, çdo ditë e më shumë po avansohen.

Sipas tij, me këto shërbime të cilat tani i ofron Klinika e Onkologjisë, pacientët nuk do të kenë nevojë t’i drejtohen klinikave private për shërbime të tilla.

“Sot kemi një shërbim 24 orësh që u krijon mundësi pacientëve tanë, të mos kërkojnë intervenime ose shërbime në spitalet tjera private dhe kështu krijohet kosto më e madhe për ta. Unë sapo u njoftova dhe nga drejtori, që një pacient që kishte pasur të përcaktuar, për të shkuar në një spital privat, është regjistruar këtu që të vijë ditën e shtunë dhe ta përfundoi. Pra, është një masë direkte që ndikon direkt në jetën e qytetarit tonë. Këta nuk i kanë përfunduar shërbimet dhe këtu sot zotohen se do të përmirësojnë dhe do të ketë ende shërbime tjera dhe do të jemi model për gjithë shëndetësinë kosovare. Do të jemi afër qytetarëve, do të përmirësojmë furnizimin me barna, do të furnizojmë dhe materiale shpenzuese, pajisje e në anën tjetër dhe personal mjekësor. Është një fillim që ende se kemi përfunduar”, tha ai.

Ai tha se në të ardhmen ka planifikuar që të vendoset në hapësirat e SSHUK-së, me qëllim që të jenë sa më afër problemeve me të cilat ata përballen.

“Është një tentativë e imja dhe bordit të SSHUK-së, kemi vendosur që të vendosemi një ditë në hapësirën e SSHUK-së, respektivisht në pjesën ku është bordi i SSHKUK-së, që të jem më afër me problemet e SSHUK-së dhe që ta dinë që përkrahjen e kanë shumë direkte. Shëndetësia në Kosovë ka mbetur mbrapa që një kohë të gjatë. Nuk kemi kohë për të humbur, dhe kushdo nga ne që është në gjendje të mobilizohet dhe të jetë më afër do ta përkrahim dhe do të jemi afër tyre”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni tha se tani kjo klinikë do të ofrojë shërbime për pacientët, të cilat si ka pasur deri tani.

“Nga sot kjo klinikë do të ofroj mjekimin me protokollin 24,48 dhe 72 orë. Do të filloj mjekimin me protokolle 3 ditore, 5 ditore që janë të ndryshme nga ato që i përmenda sipër. Do të kemi mundësi me i menaxhu efektet anësore, të mjekimit në mënyrë shumë më të mirë, do të ofrohen shërbime gjatë vikendit. E po ashtu në pamundësi të udhëtimit do të iu ofrojmë shërbimin dhe pacientëve të radioterapisë. Këto shërbime nuk e kanë kompletuar shërbimet që ne kemi nevojë, shpresoj që shumë shpejtë edhe shërbimi paliativ me një objekt ndoshta shtesë do të filloi. Na duhet pak kohë dhe me staf por prapë edhe kjo do të realizohet”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së SSHUK-së, Basri Sejdiu tha se kjo është një ditë e madhe për këtë institucion.

“Puna 24 orësh në institutin e Onkologjisë, duke llogaritur që janë pacientë të rëndë, pacientë që kanë më pak shpresë së të tjerët. Atëherë konsideroj që është një ditë e madhe për ta dhe për institucionein. Pacientet të cilët nuk kanë mundur të trajtohen 24 orë,. Tani do të trajtohen dhe vikendeve dhe është fillim i shërbimit 24 orë. Po presim dhe shërbime tjera 24 orëshe, që pacientët ta kenë me lehtë trajtimin në institucione publike dhe ata të jenë që përfitojnë më së shumti”, tha ai./

Temat: