10:11 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / C E

Klubet e Premier League-s kërkojnë përjashtimin e menjëhershëm të City-t

Rivalët e Manchester City-t në Premier League kërkojnë që skuadra e “Qytetarëve” të përjashtohet nga elita e futbollit anglez nëse shpallet fajtore për shkelje të rregullave (115 shkelje) të FFP (Fair Play Financiar).

Gazeta “The Sun” bën të ditur se “klubet e Premier League-s kërkojnë një vendim të shpejtë, dënimin e kampionëve në fuqi para përfundimit të sezonit”.

Martin Lipton publikon në tabloidin britanik se presidenti i një klubi të Premier League-s thotë se “duhet të ketë një dënim proporcional me shkeljet dhe e vetmja gjë e përshtatshme është që “Cityzens” të bien nga kategoria. Bëhet fjalë për abuzime që janë kryer prej një dekade dhe ne duam që Premier League ta bëjë siç duhet”.

Premier League lëshoi ​​një deklaratë duke akuzuar Manchester City-n për “shkelje të shumta të supozuara të rregulloreve financiare”. Ekipi i “Etihad Stadium” akuzohet se nuk ka dhënë “informacion të vërtetë” dhe nuk ka zbatuar rregulloret e UEFA-s për sa i përket “Fair Play-t Financiar” dhe licencimit.

Disa nga veprat kryesore për të cilat akuzohet Manchester City janë fshehja e burimit të vërtetë të financimit nga klubi, deklarimi i vetëm një pjese të pagave të lojtarëve dhe trajnerëve dhe pengimi i qëllimshëm i hetimit që u hap në dhjetor 2018.

Në një deklaratë, Manchester City iu përgjigj akuzave për “shkelje të shumta të supozuara të rregullave financiare” nga Premier League:

“Manchester City është i habitur nga publikimi i këtyre shkeljeve të supozuara të Rregullave të Premier League, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e gjerë dhe sasinë e madhe të materialit të detajuar që i është ofruar EPL-së”.

Klubi mirëpret shqyrtimin e kësaj çështjeje nga një komision i pavarur për të shqyrtuar në mënyrë të paanshme tërësinë e provave të pakundërshtueshme që ekzistojnë në mbështetje të pozicionit tonë. Shpresojmë që kjo çështje të përfundojë një herë e përgjithmonë”.