16:12 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020 / indeksADMonline

Klubi i Prodhuesve kërkon miratimin urgjent të pakos emergjente të rimëkëmbjes

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Bordit të Klubit të Prodhuesve, Bashkim Osmani, së bashku me ekzekutivin e Klubit, me të cilët diskutuan për gjendjen e tanishme të sektorit të prodhimit dhe avokimit për ndërmarrjen e disa masave të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në përmirësimin e kësaj gjendje.

Kryetari i Bordit të Klubit, Bashkim Osmani tha se është tejet e domosdoshme miratimi i menjëhershëm i pakos emergjente të rimëkëmbjes, e cila do të ndihmonte shumë prodhuesit vendorë, ku shumë prej tyre janë në prag të mbylljes së veprimtarisë.

Gjithashtu, Osmani kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të mbështesë edhe Rezolutën e Prodhimit, ku Klubi i Prodhuesve me anë të kësaj rezolute kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale, ku Qeveria e Kosovës do të duhej të përkrahë ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre.

Po ashtu u theksua se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës do të duhej që rimëkëmbjen ekonomike të vendit ta bazojnë në fuqizimin e industrisë së prodhimit, si zgjidhjen e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë, por edhe iniciativat tjera kështu duke ju qëndruar prodhuesve gjithnjë pranë.