09:59 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

KMDLNJ: Lajçak do të duhej të pritej me protesta të fuqishme e të refuzohej takimi me të nga liderët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke komentuar vizitën e paralajmëruar të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak në Prishtinë vlerëson se pasi ai nuk ka kërkuar falje për siç e kanë quajtur “lojën me harta”, ku Kosova është pjesë integrale e Serbisë  “veprimi më i butë që do të duhej ta bënin politikanët kosovarë është që të refuzonin çdo takim me te derisa të kërkojë falje publike dhe të distancohet nga ai veprim”.

Ky këshill konsideron se me Lajçakun nuk do të duhej të takoheshin as përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe as ata të mediave.

“Gjithashtu, në çdo vend ku ka vetëdije të lartë shtetformuese, njerëzore, politike dhe kombëtare, Mirosllav Lajçak do të pritej me protesta të fuqishme, në çdo vend ku ka planifikuar takime. Duke e injoruar realitetin e krijuar në Kosovë të cilin, Lajçaku po bënë përpjekje ta deformojë skajshmërisht, po krijon një presedan të rrezikshëm dhe dekurajues për ndërtim të paqes së qëndrueshme në çdo vend ku ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe Kosova i ka kaluar të gjitha tmerret për të lejuar që një përfituse politik, si puna e Lajçakut të bëjë ekzibicione të tilla”.

“Albin Kurti, por edhe ata të tjerët që eventualisht pranojnë të takohen me një militant të shquar kundër pavarësisë së Kosovës, pa u distancuar nga veprimi i tij dhe lojës së ndyrë me harta, pa kërkimfalje publike, në fakt rrezikojnë të bëhen edhe vetë pjesë të skenarit të Lajçakut. Faturat e tjera, nga ky përfitues dhe mashtrues politik që po i shtynë para planet e Serbisë , nën ombrellën e BE-së, nëse kalohet aq lehtë, sigurisht se do të vijnë shumë shpejt”, thuhet në një komiikatë për media të KMDLNJ-së.