Koci, pas bastisjes se shtëpisë së Smakajt: Shqetësohem për informacionin e ndjeshëm që mund të jetë gjetur
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka deklaruar se bastisja e shtëpisë së ish-drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakajt, nga ana e Speciales, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Koci deklaroi se respektimi i plotë i procedurave ligjore është thelbësor për ruajtjen e parimeve të një shteti demokratik dhe funksional, shkruan IndeksOnline.
“Megjithatë, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, shqetësimi im kryesor lidhet me garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që eventualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur. Informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës”, shkroi Koci.
Ai tha se është jetike të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet strategjike me partnerët ndërkombëtarë, në sferën e inteligjencës.
“Agjencia e Inteligjencës së Kosovës është një shtyllë kyçe e sigurisë sonë kombëtare, dhe ruajtja e integritetit të saj, si dhe besimi i qytetarëve dhe partnerëve tanë, duhet të mbetet prioritet absolut”, shtoi Koci.
Ky është postimi i plotë i tij:
Bastisja e shtëpisë së ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), me vendim gjykate dhe sipas ligjeve pozitive, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.
Respektimi i plotë i procedurave ligjore është thelbësor për ruajtjen e parimeve të një shteti demokratik dhe funksional.
Megjithatë, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, shqetësimi im kryesor lidhet me garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që evetualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur.
Informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
Kam besim të plotë se institucionet përkatëse do të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi për të shmangur çdo rrezik të tillë.
Po ashtu, është jetike që të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet tona strategjike me partnerët ndërkombëtarë në sferën e inteligjencës.
Këto marrëdhënie janë të një rëndësie të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe nuk duhet të dëmtohen në asnjë mënyrë!
Agjencia e Inteligjencës së Kosovës është një shtyllë kyçe e sigurisë sonë kombëtare, dhe ruajtja e integritetit të saj, si dhe besimi i qytetarëve dhe partnerëve tanë, duhet të mbetet prioritet absolut.
Ky moment duhet të shërbejë si një mësim për të forcuar më tej protokollet e mbrojtjes së informacioneve të klasifikuara dhe për të ruajtur besimin në institucionet tona.