23:12 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Kolonizimi i “Fadil Vokrrit”

Stadiumi “Fadil Vokrri”, i vetmi i një niveli të tillë në vend, përveç ndeshjeve të Kombëtares po pret edhe ndeshjet vendase të Prishtinës, e së fundmi edhe të Flamurtarit.

Dy vite sa zgjati renovimi i këtij impianti, Prishtina u detyrua të luaj në stadiume të huaja, si në Kastriot e më pas edhe në Pejë, ku edhe e humbi titullin e sezonit 2017/18 në xhiron e fundit nga Drita.

Për çdo disfatë, tifozët nga kryeqyteti fajësonin mungesën e stadiumit si shkak që Prishtina nuk po ka mbështetjen e duhur dhe ishin të detyruar të luanin, siç thonin ata “nëpër ara”.

Stadiumi “Fadil Vokrri” pas renovimit

Fillimi i sezonit 2018/19 e gjeti Prishtinën me stadium të ri, më të mirin në Kosovë dhe të vetmin të pranuar nga organet evropiane të futbollit për gara ndërkombëtare.

Stadiumi i ri me një kapacitet prej rreth 12.000 vendesh nuk iu ka shërbyer aspak “Plisave” dhe tifozëve të kryeqytetit, ose thënë më mirë më shumë iu ka bërë punë skuadrave rivale.

Vendasit asnjëherë nuk arritën ta mbushin atë, përveç një grupi të vogël “ultrasish” dhe familjarëve të futbollistëve që vinin në stadium dhe tek tuk ndonjë dashamir i madh i futbollit.

“Fadil Vokrri” u kolonizua nga skuadrat më rivale të Prishtinës, si Drita, Feronikeli e së fundmi edhe Llapi.

Gjilanasit erdhën me numër të madh nga qyteti i tyre për ta ndjekur derbin lokal në mes të Dritës dhe Gjilanit, që për shkaqe infrastrukturore nuk u luajt në stadiumin e përbashkët të tyre.

Gjilani në “Fadil Vokrri”

Këtu reaguan ashpër kryeqytetasit, që sipas tyre ata janë të zotët e shtëpisë, por konaku i tyre ishte i stërmbushur, si asnjëherë nga publiku vendas.

Stadiumin e mbushi edhe Feronikeli në ndeshjen e Superligës kundër Prishtinës. Zyrtarët e qeverisë, të shumtë në numër nga Drenica mbushën tribunën perëndimore, shumë më shumë në numër se ata të kryeqytetit.

Tifozët në ndeshjen Prishtina – Llapi

Ndeshja e fundit Prishtina – Llapi, me një shikueshmëri rekord edhe pse çmimet e biletave ishin trefishuar treguan se stadiumin e Prishtinës e mbushin vetëm mysafirët edhe pse kryeqyteti numëron banorë sa 1/3 e të gjithë Republikës.

Para investimeve dhe fitimit të Superligës pas shumë vitesh, Prishtina ka më shumë nevojë t’i rikthej tifozët në stadium dhe i gjithë ky impiant i lavdishëm mos të mbetet vetëm kur kundërshtar është Llapi, Drita ose Feronikeli. /IndeksOnline/