Kolumbia distancohet nga Escobari – urdhëron ndalimin e shitjes së mallrave me figurën e tij?!

Shteti i Kolumbisë, dalëngadalë, po distancohet nga figura e kriminelit më të madh të drogës që njeh historia, Pablo Escobar.
Një ligj i propozuar në Kongresin e Kolumbisë ka kërkuar ndalimin e shitjes së mallrave që kanë fytyrën e Escobarit në të.
Por, anëtarët e Kongresit kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë gjë, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.
Projektligji synon të ndalojë shitjen e mallrave që kanë figurën e Escobarit dhe kriminelëve të tjerë, për t’i dhënë fund ngritjes lart të figurës së “bosit” të drogës, kryefjalës së tregtisë së kokainës, që njëherazi është edhe përgjegjës për vrasjen e mbi 4 mijë njerëzve.
Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tri dekada që nga vrasja e tij, Escobari akoma mban një status me peshë të rëndë në Kolumbi, duke u glorifikuar pothuajse në çdo shtëpi dhe ambient.
Përveç se ka arritur një status “kulti” në të gjithë botën, duke u përjetësuar në libra, muzikë e filma, në Kolumbi e gjen në bluza, posterë, flamuj, murale, madje edhe në varëse çelësash.
Por, Kolumbia tani dëshiron të identifikohet me diç tjetër dhe jo vetëm Escobarin. Shteti pretendon se ka shumë më shumë për të ofruar, përfshirë dhe sigurinë, e cila konsiderohet e rrezikuar pikërisht për shkak të asociimit të përhershëm me emrin e Escobarit.