15:23 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Komandanti Suprem: Kosovë, urime ushtria!

Para shumë ushtarëve dhe eprorëve të lartë të FSK-së, Thaçi ka thënë se rrugëtimi i FSK-së simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë, duke dëshmuar se kemi kaluar nëpër sfida deri më sot, por duke arritur qëllimin.

“Kosovë, urime ushtria. Sot, ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dinjitet e krenari po e përfaqësoni Kosovën kudo nëpër botë. Rezultatet e juaja janë të shkëlqyera. Ju po arrini suksese në gara ndërkombëtare, përkrah ushtrive të vendeve më profesionale dhe më të fuqishme të botës. Me punën tuaj, me sukseset tuaja, populli ynë krenohet çdo ditë”, ka thënë ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se djemtë dhe vajzat më të mira të kombit tonë do të kenë mandat të ri, mision të ri, si Forcë e Sigurisë së Kosovës, si ushtri e Kosovës.

“Do të shërbeni dhe do të mbroni me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke kontribuar edhe në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global. Zhvillimi i ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë e shumë shteteve të tjera. Populli ynë e krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin”, ka shtuar ai.

Presidenti i Kosovës në fjalimin e tij para ushtarëve të FSK-së ka theksuar se pas demilitarizimit, i krijuam Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pastaj me ngritjen e nivelit të përgatitjes, u avancuam në Forcë të Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se ky ishte një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

“Pesë vite më parë, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, me të drejtë u arrit në përfundim se FSK-ja është e gatshme për rol dhe mision të ri. Për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ju gjithmonë keni qenë de fakto, ushtarë dhe FSK–ja, ushtria e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të fjalimit të tij ka thënë se të gjitha forcat politike në vend janë unike që të nxjerrët vendimi i merituar, që FSK-ja edhe me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të transformohet në ushtri profesionale.

“Deputetët e Parlamentit të Kosovës, në mënyrë solemne do të marrin vendimin për këtë proces. Forca e Sigurisë e Kosovës është zhvilluar në një forcë profesionale, e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, me përbërje shumetnike dhe me përfaqësim meritor gjinor. Përfshirja e çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës e dërgon mesazhin më të mirë të mundshëm. Tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, FSK-ja është institucioni më i besuar për qytetarët e Kosovës, prandaj si President dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës është krenar për arritjet dhe sukseset e tyre.

“I jam mirënjohës secilit prej jush për kontributin e vazhdueshëm që keni dhënë, që të arrijmë deri këtu”, ka theksuar Thaçi. /Indeksonline/