12:16 / E Shtunë, 22 Tetor 2022 / Andronika

Kombet nuk lindin më, ato tani vetëm po “vdesin”!

Prof. Dr. Fadil Maloku

1Teoritë (një thes i tërë) kryesore perëndimore mbi kombin, na dëshmojnë se kultura, (mitet, gjuha, mentaliteti, etnopsikologjia, territori,..etj.) dhe shteti, si krijesa historike, kanë shumë ndikim në (de)faktorizimin e strukturës mentale të një kombi. Është dëshmuar gjithashtu, se të dy këto kategori (kultura dhe shteti) sociologjike, i riciklojnë përherë raportet midis e tyre, ashtu sikurse “binjakët Sijamez”. Ata që thonë se kultura (e munguar si traditë historike, po edhe si perceptim e imagjinatë sociologjike) kosovare mundet t’i paraprij ndërtimit të “kombit kosovar”, e kanë gabim si qasjen, ashtu edhe argumentin! Thjesht, se: ndjenja kombëtare kosovare,gjatë qenësimit të vetë historik, më shumë është kultivuar, identifikuar e rindërtuar me; gjuhën, gjakun, prejardhjen etno kulturore…etj., se sa me projektin (hajde ta themi edhe hegjemonist!) të “gjithë shqiptarët në një shtet”.

2. Tjetër, procesi i moskontestimit të origjinës së përbashkët shqiptare, nga ana e shqiptarëve të Kosovës, gjatë gjithë periudhës së aneksimit nga ana e Serbisë më 1912, na dëshmon qartë të gjithëve, (duke mos përjashtuar këtu as turbokozmopolitët, e as ithtarët e multietnicitetit shqiptar), se; tendenca për synime të reja identitare kombëtare, pra, për të krijuar e kultivuar një komb të ri në Kosovë, është absurde, alogjike, e paqëndrueshme, e panevojshme, dhe e paargumentueshme! Çka është edhe më tragjike; Në fjalimin, që Edi Rama, mbajti në 12 tetor 2022 para parlamentarëve evropian në Strasburg, e përmendi dy herë gabimisht dhe në kontekst dosido antishqiptar, termin “komb kosovar”. Herën e parë, kur tha”ky ishte rasti i kombit të Kosovës disa dekada më parë”.(!?) dhe herën e dytë, kur nga po e njëjta foltore tha se; Ukraina e Kosova “janë dy kombe” (?!)

3. Përdorimi i kësaj teze, në jetën politike ku natyra e komunikimit mund të kërkoj edhe doza të caktuara konformizmi (që si kualifikim e qasje, është tipike; antishqiptare) shkaku i ekonomizimit të interesave të ndryshme, është në fakt një tendencë djallëzore anipse, në pamje të parë tingëllon edhe joshëse për veshët e ndërkombëtarëve…! Të paktën qeveria kosovare (po edhe ajo shqiptare) gjatë finalizimit të bisedimeve me Serbinë, nuk duhet të bjerë kurrë në kurthet dhe qasjet shumëkuptimshme dhe ato të (pa)qëllimshme të ca miqve ndërkombëtar! Të cilët sa kam vënë re, si shpesh po e përdorin konceptin e “kombit kosovar”… Këta dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë, se; kombet nuk janë laboratorë, e as kazanë (melting pot) ku mund të dizajnohen e projektohen sipas qefeve, interesave klanore, e atyre individuale qofshin ato interesa të porositura, apo të injektuara e të dizajnuara, si nga miqtë ashtu edhe armiqtë tanë ideologjik, e politik. S’ këndejmi, themi që iniciativat (pseudoshkencore, e besa edhe ato pseudopolitike) e shtyra nga çfarëdo motivi qofshin ato, lidhur me lindjen apo krijimin e “kombit kosovar”, janë të gabuara dhe kryekëput qëllimkeqe. Sepse, “kombi kosovar” sociologjikisht, fare nuk mund as të kultivohet, as të “mirëmbahet”, e madje as të dëshmohet as si prezencë fizike e as si sosh metafizike; politikisht, ka shumë probleme e dilema formale e përmbajtjesore për t’u marr edhe si i qenë po edhe si perceptim imagjinar; ndërkaq, kulturalisht, është i paqëndrueshëm dhe i paimagjinueshëm… Politikanët kosovar, bëjnë fort mirë që fare të mos e përdorin për komunikim masiv, këtë termë sa absurd aq edhe të dëmshëm…Edhe për shkakun se kombet sot më nuk po lindin, ato tani vetëm po “vdesin”…