13:54 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kombëtarja e Kosovës në skitari merr pjesë në Kampionatin Botëror “Are 2019”

Kombëtarja e Kosovës në skitari ka udhëtuar për në Suedi, ku prej 4 deri më 17 shkurt 2019 në qytetin Are do të mbahet kampionati botëror.

Kosova do të përfaqësohet me pesë garues të skijimit alpik.

Përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, Albin Tahiri, do të garojë në pesë disiplina: Sllallom, slalom të madh, super sllalllom i madh, kombinim alpik dhe lëshim.

Tahiri ka deklaruar se në botërorin 2019 do të synojë të marrë rezultatet më të mira. “Pres të bëjë më të mirën time, të kem paraqitje të kënaqshme dhe rezultatet do të vijnë eventualisht”, deklaroi Tahiri për “noc-kosovo.org”. Ai jeton në Suedi, kurse Kosovën e përfaqëson prej vitit 2010 nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare.

Katër garuesit tjerë, Fiona Rrusta, Faton Shurrdhaj, Adea Kollqaku dhe Arbi Pupovci, do të garojnë në disiplinat: Sllallom dhe sllallom të madh, mirëpo paraprakisht të katërtit duhet të kalojnë garën parakualifikuese për të hyrë në garën finale.

Delegacioni i Kosovës, i prirë nga kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim  Kelmendi, ka udhëtuar të dielën drejt Suedisë, ndërsa garuesit: Albin Tahiri, Fiona Rrusta dhe Faton Shurrdhaj, që jetojnë jashtë vendit do t’i bashkohen ekspeditës në Suedi, edhe pse pjesëmarrja e Shurrdhajt mbetet ende e paqartë për arsye të panjohura deri më tani.