20:07 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kombëtarja U19 zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Gjermaninë

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave nesër do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, që do të mbahet në Skoci.

Vashat e drejtuara nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi tash e tri ditë ndodhen në Belfast të Irlandës së Veriut, aty ku do të luhen ndeshjet kualifikuese të grupit 9, ku krahas Kosovës bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut, Gjermania dhe Estonia.

Fati deshi që qysh në ndeshjen e parë Kombëtarja jonë të ballafaqohet me favoriten e këtij grupi, Gjermaninë, ndeshje e cila do të luhet nesër në orën 14:00 sipas orës lokale në Belfast.

Kombëtarja jonë sot e ka mbajtur stërvitjen e katërt për këtë ndeshje. Atmosfera në grup është shumë e mirë, derisa vashat po e japin maksimumin në stërvitje për të qenë sa më të përgatitura për duelin e nesërm.

Në përkrahje të vashave këtu në Belfast ndodhen edhe presidenti Agim Ademi, i cili në vazhdimësi e ka përkrahur zhvillimin dhe përparimin e futbollit të femrave.  Ai e ka ndjekur nga afër edhe stërvitjen e sotme së bashku me anëtarët e Komitetit Ezekutiv, Vjollcë Krasniqi dhe Xhelal Broja, si dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu.

Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Munishi me asistentët e tij, Megzon Visoka e Labinot Qosa punuan në aspektin tekniko-taktik, duke dhënë instruksionet e qarta për futbollistet për duelin me gjermanet, të cilat pa dyshim janë rivale tejet të forta.

Gjendja e futbollisteve është shumë e mirë, me përjashtim të Gjenifer Pjetrit, e cila me këshillën e stafit mjekësor ka stërvitur e diferencuar me disa vrapime të lehta, pasi ende nuk është shëruar plotësisht nga lëndimi.

Ndërkohë, brengosës është fakti se krejt në fund ka dështuar edhe udhëtimi i dy lojtarëve shumë cilësore, ku Anita Racaj dhe Sabrije Krasniqi. Sidoqoftë, stafi i Kombëtares U19 ka besim tek lojtaret që ka në dispozicion dhe shpreson se ato do të japin më të mirën e tyre./IndeksOnline/

Temat: