21:39 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kombëtarja U21 kryen stërvitjen e fundit, optimizëm për fitore

Kombëtarja U21 ka zhvilluar sonte në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë stërvitjen e fundit para përballjes me Irlandën, që do të luhet nesër në po këtë stadium, në kuadër të grupit 5 të kualifikimeve të Evropianit 2019.

Atmosfera brenda grupit është e mrekullueshme, derisa gjendja dhe forma e futbollistëve është jashtëzakonisht e mirë, me përjashtim të Muharrem Jasharit, i cili ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi në këmbë që e pësoi në fundjavën e kaluar në ndeshjen Gjilani-Trepça’89.

Stërvitja e sotme ka qenë me një intensitet më të ulët me qëllim që lojtarët të jenë sa më të freskët për lojë. Optimizmi për sukses tek lojtarët është jashtëzakonisht i madh, por ata presin që edhe në ndeshjen e nesërme ta kenë përkrahjen e madhe të tifozëve, të cilët u japin zemër dhe forcë për të dhënë 120 përqindshin e tyre në fushën e lojës.

Deklaruan pas stërvitjes:

Rafet Prekazi: Atmosfera në ekip është si gjithëherë shumë e mirë. Këta djem e dinë se për Kosovën duhet ta japin 120 përqindshin dhe lojërat e pëlqyeshme që i kemi bërë deri më tash kanë ardhur si rezultat i lojës kolektive. Tash jemi më kualitativ se sa në ndeshjen e parë, por tani edhe Irlanda na njeh më mirë. Edhe pse irlandezët janë një pozitë më lartë në renditje, falë lojërave të mira që kanë bërë kjo gjeneratë, tani çdo kundërshtar ka respekt të madh për ne. Normalisht se në këto kualifikime të gjitha ekipet janë të forta dhe mund të na mposhtin, por për ta bërë këtë do ta kenë mjaft të vështirë, pasi kemi dëshmuar se kemi cilësi dhe kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris se koha po punon për futbollin e Kosovës.

Florent Hasani: Si çdo ndeshje edhe kjo është shumë e vështirë, pasi ky grup kualifikues ka qenë  shumë i fortë. Është mëkat që kemi humbur kundër Irlandës në ndeshjen e parë, pasi kemi luajtur shumë mirë. Në krahasim me atë ndeshje ne jemi tani një ekip shumë më i fortë, ku kemi edhe prurje të reja që kanë shumë ciësi, andaj besoj që kështu siç jemi në stërvitje të bashkuar, edhe në ndeshje do të japim maksimumin dhe do të marrim rezultat pozitiv.

Lirim Kastrati: Ndeshja e nesërme për ne është shumë e rëndësishme, pasi me fitore eventuale i mbajmë gjallë shpresat për kualifikim. Grupi është më i bashkuar se kurrë dhe atmosfera është në nivel të lartë. Gjithashtu presim një numër të madh të shikuesve në stadium, pasi ata na japin zemër  dhe jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë. Synimi ynë i vetëm është fitorja në këtë takim dhe besoj se do t’ia dalim mbanë./IndeksOnline/

Temat: