13:11 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Komisionerët evropianë këndojnë “Bella ciao!”, shpërthejnë polemikat

Polemika të shumta janë krijuar në Itali pas qarkullimit në rrjetet sociale të një video ku komisionerë evropianë socialistë dhe demokratë këndojnë këngën e famshme partizane: “Bella ciao!”.

Komisionerët e grupit të Aleancës progresiste të socialistëve dhe demokratëve këndojnë “Bella ciao!” në Parlamentin evropian pasi morën dritën jeshile nga asambleja. Video-ja ka qarkulluar menjëherë në rrjetet sociale.

Në filmim është pikërisht komisioneri evropian për çështjet ekonomike Paolo Xhentiloni, i cili këndon së bashku me komisionerët e tjerë këngën e njohur partizane.

Reagimet në Itali kanë qenë të menjëhershme, duke filluar nga kryetarja e Fratelli d’Italia Xhorxha Meloni, e cila e konsideroi skandaloze këtë sjellje të zyrtarëve më të lartë evropianë. Mateo Salvini shtoi me ironi se tashmë komisionerët mund të marrin pjesë dhe në Sanremo si edhe të ndërmarrin një turne ndërkombëtar.

Por dhe Paolo Xhentiloni reagoi pas kritikave, duke thënë se për të ishte një nder të këndonte atë këngë në festën e socialistëve evropianë. Duke iu drejtuar Salvinit ai i tha se lideri i Lega Nord-it jeton në një vend demokratik pikërisht, sepse ka pasur shumë njerëz që kanë humbur jetën duke kënduar “Bella ciao!” për lirinë e vendit.