14:04 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Komisioni hetimor për gylenistat, Thaçi cakton datën kur është i gatshëm për të raportuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të raportojë në Komisionin hetimor për rastin e depërtimit të shtetasve turq, në fund të kësaj jave, njofton Indeksonline.

Thaçi është pritur që të raportojë sot në këtë komision mirëpo ai nuk ka marrë pjesë në takimin e anëtarëve të këtij komisioni për shkak të agjendës.

Për dallim nga herët e tjera, kur ai nuk i është përgjigjur as pozitivisht e as negativisht kërkesës së komisionit për raportim, kësaj here Thaçi është shprehur i gatshëm të raportojë para komisionit më 26 prill.

Paraprakisht, anëtarët e komisionit debatuan lidhur me ecurinë e punimeve të këtij komisioni para se t’i përfundonte mandati e i cili javë më parë i është vazhduar edhe për 30 ditë.

Hajdar Beqa, nga PDK tha se para se të mbahej ky takim dhe të caktohet rendi i ditës, është dashur që të ketë një takim mes anëtarëve të cilët do të përcaktonin agjendën e komisionit.

”Nëse kemi interes, me zbardhë këtë çështje dhe me kryer punën tonë pa e dëmtuar procesin. Jo të vijnë rende të ditës ende pa u mbledh na si anëtarë pas zgjatjes së afatit. Kërkoj prej kryetarit që të respektojmë ligjin dhe që është dashur të na thërret që ta bëjmë agjendën”.

Me këtë u pajtua edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ndonëse tha se do të ishte mirë që t’i shmangen formaliteteve.

“Mendoj që shqetësimi i zotëri Beqa është i drejtë. Ne nuk kemi arritur që ta prodhojmë një raport brenda afatit ligjor e kemi marrë lejen për më vazhduar, mendoj që është mirë me punuar pa formalitete.  Zotëri Thaçi ka shprehu gatishmërinë që të raportojë në komision mendoj që nuk duhet ta pengojmë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ndoshta presidenti i vendit mund të na jep informacione që do ndikojnë në raportin përfundimtar”, tha Nitaj.

Nitaj shprehu shqetësimin për dërgimin e raportit të komisionit në prokurori.

“Draft raporti i shkruar në këtë komision pa e marrë votën e anëtarëve dhe u legjitimuar është shfrytëzuar dhe është dërguar në prokurorinë e shtetit, unë mendoj që mund të dërgohet mirëpo  jo në emër të komisionit hetimor”.

Mirëpo, Selmanaj tha se në Prokurorinë Speciale e kanë dërguar raportin në emër të vet dhe të deputetit Xhelal  Sfeçla e jo në emër të komisionit.

“E para nuk ka shkuar në emër të komisionit, se nuk ka pas mandat ka shkuar në emër tim dhe të kryetarit të komisionit në Prokurorinë Speciale. Unë jam për me një takim me presidenti me datën 26 përkundër që kam dilemat e mia.. Unë pajtohem që data 26 ta caktojmë orën ta kemi dëshmitarin që mendoj se është dëshmitari kyç”, tha ai.

Kryetari i komisionit, Xhelal Sfeçla propozoi që në mbledhje të këtij komisioni të vendoset për riintervistimin e disa dëshmitarëve dhe për dëshmitarët tij.

“Më tre maj, të thërrasim për rintervistim ish-shefin e AKI-së, Driton Gashin, ish-drejtori i Policisë, Shpend Maxhunin, , dhe për herë të parë të intervistojmë dy zyrtarë të tjerë të AKI-së”.

Anëtarët e komisionit, u pajtuan që intervistimi i tyre të bëhet më tre maj.

Ndryshe, deputetja Ganimete Musliu, bëri të ditur se në mënyrë pasive do të jetë pjesë e takimeve të komisionit.

Ajo tha se nga tani e tutje nuk do të flasë apo votojë për asgjë në këtë komision./Indeksonline/