21:30 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Komisioni i heshtur

Vendimi i parë i Ramush Haradinajt si kryeministër i vendit ka qenë shkarkimi i komisionit për demarkim të kufirit Kosovë-Mali i Zi në krye të së cilit ishte Murat Meha.

Haradinaj po atë ditë kishte emëruar Shpejtim Bulliqin si kryesues të komisionit të ri.

Por pavarësisht që ka kaluar rreth një muaj që nja thirrja e komisionit të ri, ende nuk ka asgjë konkrete rreth nisjes së punës së komisionit.

Indeksonline ka kontaktuar me drejtuesin e këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi i cili është shprehur i rezervuar duke thënë se në momentin kur do të ketë diçka të re e cila ka të bëjë me demarkacionin me Malin e Zi, ajo gjë edhe do të bëhet publike në atë moment.

“Në momentin që do të kemi diçka të re, do të ju lajmërojmë në mënyrë publike”, ka thënë Bulliqi për Indeksonline.

Por ditë më parë, Indeksonline ka raportuar se anëtarët e këtij Komisioni janë duke proceduar dokumentacionin e nevojshëm por që ka aq shumë dokumente saqë duhet ende kohë për t’u bërë e ditur se ku qëndron ky proces.

Duhet përkujtuar që nga përfaqësuesit e huaj ‘demarkacioni’ vazhdon të jetë një ndër çështjet kyçe që duhet të gjejë zgjidhje në mënyrë të procedimit të liberalizimit të vizave, duke mos harruar edhe kushtet e tjera parësore atë të luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Ndërkohë kryeministri Haradinaj është deklaruar se demarkimi i kufirit me Malin e Zi, është çështje e Kuvendit të Kosovës, por se mundësia e liberalizimit nuk është e largët.