20:10 / E Shtunë, 01 Tetor 2022 / MSH

Komisioni për Shëndetësi diskuton për shërbimet shëndetësore dhe Spitalin e Prishtinës

Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e tretë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi edhe një herë rëndësinë e punës së përbashkët të Komisionit, për vlerësimin e kapaciteteve të nevojshme për transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.

Për këtë në takimin e sotëm u prezantuan dhe diskutuan dy studime të fizibilitetit në sektorin e shëndetësisë. Studimi i parë, për Spitalin e Prishtinës, ishte përgatitur nga ICME dhe u prezantua nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe zyrtarët e tij. Ndërsa, studimi i dytë, për ShSKUK-në, u prezantua nga Thomas Weismann, ekspert gjerman për ekonomikë shëndetësore, me titullin “Përmirësimi i infrastrukturës fizike të institucioneve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”.

Kryeministri informoi Komisionin që në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësor.

Miratimi i Udhëzimit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Po ashtu, ardhja e profesionistëve të mërgatës do të mundësojë trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

Mirëpo, Kryeministri theksoi që Udhëzimi nuk mund të arrijë qëllimin e vet pa hapa konkretë, të shpejtë dhe të vazhdueshëm për të siguruar zbatimin e tij.

Andaj, anëtarët e Komisionit janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë të mjekëve specialistë nga mërgata për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve.

Kryeministri nënvizoi se jetësimi i kësaj iniciative është çështje urgjente dhe se çdo ditë vonesë është kohë e humbur.​